Anadolu filmoi ndihmat humanitare të dërguara në veri të Rripit të Gazës, ku fatkeqësia thellohet dita-ditës për shkak të sulmeve izraelite dhe ku foshnjat po vdesin nga uria.
Avionët e ngarkesave ushtarake që u nisën nga qyteti Sderot në jug të Izraelit për në veri të Rripit të Gazës, fluturuan në qiellin e Gazës dhe më pas hodhën paketa me ndihma humanitare me parashuta.
Thuhet se përderisa paketat me ndihma humanitare po dërgoheshin në veri të Rripit të Gazës, tymi i zi vazhdoi të ngrihej nga rajoni dhe shihej se shumica e ndërtesave në rajon u shndërruan në gërmadha.
Izraeli po e lë Gazën me mungesë ushqimi
Ka shkuar në 20 numri i personave që kanë humbur jetën për shkak të kequshqyerjes dhe etjes në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka vazhdon sulmet për rreth 5 muaj dhe ka penguar hyrjen e ndihmave, duke shkaktuar "katastrofë të madhe humanitare".
Zëdhënësi i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra në një deklaratë me shkrim më 6 mars tha se një djalë 15-vjeçar vdiq për shkak të kequshqyerjes dhe dehidrimit në spitalin "Shifa" në qytetin e Gazës. Kombet e Bashkuara (OKB) kishin paralajmëruar se 2.2 milionë njerëz janë në rrezik të urisë në Rripin e Gazës.
Sipas OKB-së, 378 mijë njerëz në Gaza përballen me urinë e nivelit 5, e cila quhet "katastrofike", sipas shkallës së Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC), dhe 939 mijë njerëz përballen me urinë e nivelit 4, e cila njihet si "emergjente".
Raportohet se palestinezët, veçanërisht ata që jetojnë në veri të Gazës, kanë filluar të bluajnë ushqimin e kafshëve, sepse nuk mund të gjejnë miell.
Koordinatori i Përkohshëm Humanitar i OKB-së për Territoret e Pushtuara Palestineze, James McGoldrick, në deklaratën e tij më 6 mars tha se situata në veri të Gazës, kushtet higjienike e shëndetësore dhe mungesa e ushqimit prekin segmentet më të cenueshme të shoqërisë dhe se "kriza ushqimore mund të rritet" në këtë rajon.
McGoldrick tha se ndihmat humanitare për rajonin duhet të shtohen. Sipas tij, nevojiten të paktën 300 kamionë me ndihma në ditë dhe se momentalisht 150 kamionë me ndihma kanë vështirësi të hyjnë në Gaza.
Vendet, përfshirë SHBA-në, Egjiptin, Jordaninë dhe Francën filluan të dërgojnë ndihma humanitare përmes parashutave ajrore në Rripin e Gazës, ku më shumë se 400 mijë palestinezë po luftojnë me një fatkeqësi humanitare dhe mungesë ushqimi./aa