Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se përgjegjësia morale predikohet nga njerëz të izoluar në ballkone apo të kudondodhur nëpër kanale dhe portale.

Në mbledhjen e zhvilluar sot me Grupin Parlamentar dhe Kabinetin Qeveritar për adresimet mbi qeverisjen, ligjin, korrupsionin dhe Nismën e Re Kombëtare për Shqipërinë 2030, Rama tha se këto akuza vijnë nga Sali Berisha që ndodhet në arrest shtëpie.

Rama tha se, “është e vërtetë që në vende me demokraci shumë të zhvilluar ndodh, absolutisht jo gjithmonë as atje, por ndodh që titullarë të caktuar të dorëhiqen edhe kur nuk janë përgjegjës drejtpërdrejtë për një rrëshqitje nga binarët e ligjit të dikujt apo të disave në varësinë e tyre. Po në demokracitë e konsoliduara, ka një strukturë të tërë institucionale, e cila i garanton proceset e brendshme të shtetit me mekanizmatiza, me filtra të shtresëzuar nga breza të tërë ligjvënësish dhe të ndërlidhur me një makineri shtetërore që i kryen vetë mekanikisht 90% të proceseve të punës së shtetit”.

“Belgjika ndenji më shumë se një vit pa qeveri. Makina e shtetit jo nuk u fik, por njerëzit atje thoshin shteti punoka edhe më mirë pa qeveri”, tha Rama.

“Në demokracitë në zhvillim si Shqipëria këtë makineri jemi duke e ndërtuar ne, prej 10 vjetësh. Pasi trashëguam një karroceri me 3 rrota, me pjesë këmbimi të salduara si me pështymë dhe falë bekimit të teknologjisë dixhitale nuk do të presim me breza siç do të prisnim po të mos ishte teknologjia dixhitale, por do t’ia dalim shumë më shpejt, edhe duke shfrytëzuar në maksimum transferimin masiv të dijes që sjell procesi i negociatave për anëtarësim në BE”, u shpreh Rama.

“Kjo do të thotë se ende sot ecuria e shtetbërjes varet nga roli i individëve në drejtimin e institucioneve dhe ju e dini shumë mirë sa ndryshon qasja, performanca, rezultati i një institucioni në varësi të drejtuesit. Dhe pikërisht pse individët kanë ende një peshë shumë të rëndësishme në mbarëvajtjen e kësaj përpjekjeje, ekziston rreziku shumë i madh i futjes në një spirale destruktive në emër të marrjes gjoja të një përgjegjësie morale, për vartës që vendosen nën akuzë nga drejtësia, gjithmonë nëse nuk është rasti i lidhjeve me ta”, tha Rama.

“Aq më tepër pastaj që kjo gjasme përgjegjësi morale që predikohet me të madhe nga njerëz të akuzuar dhe të izoluar në ballkone për korrupsion, apo të dalë fare nga binarët e arsyes për shkak të hetimeve për korrupsionin e tyre që i ndjek si hije edhe në gjumë, apo të kudondodhur nëpër kanale dhe nëpër portale, për të hedhur helmin e urrejtjes së pangushëllueshme politike, duke mos deklaruar as sa paguhen realisht, në ato klubet ku dalin, jo vetëm që nuk ka asnjë legjitimitet moral apo politik, por në fakt synon krijimin e një mekanizmi diabolik tërheqjeje të detyruar në emër të moralit, për të goditur në fakt një shumicë qeverisëse që nuk e mundin dot ndryshe me votë. Në kokë këtu, një kokë atje, bam e bum, morali, kush e ka radhën për t’u dorëhequr”, theksoi Rama.

Sigurisht, shtoi kryeministri, “shtetbërja demokratike nuk është një ushtrim po aq i thjeshtë dhe aq i parashikueshëm sa ndërtimi me tulla dhe me llaç. Ndërtimi i institucioneve, i mekanizmave dhe  filtrave administrativ për ta imunizuar shtetin nga korrupsioni nuk është si ngritja e një karabinaje dhe vendosja e një dritareje dhe e sistemeve të ujit dhe ndriçimit, por është një proces me shumë telashe, ku korrupsioni është një telash i madh më vete, përgjatë gjithë shtetbërjes dhe ku morali përcaktohet nga raporti individual me ligjin dhe nga raporti me zgjedhësit në funksion të punës për të cilën je zgjedhur, jo nga fajësimi me asociim. Meqë u kap ky atëherë s’ka sesi mos ta dish dhe ti. As nga tërheqja e të parit të punës se disa vartës kanë bërë korrupsion, kur në fakt ajo që po ndodh, e përsëris, po ndodh falë vullnetit të kësaj shumice, që i ka krijuar drejtësisë kushtet që më në fund të bëjë punën e vetë kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe zyrtarët e lartë janë pjesë e gjithë sistemit ekzekutiv, të cilin ne drejtojmë”./ata