Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani uroi sot gratë dhe vajzat me anë të një video mesazhi në Ditën ndërkombëtare të Gruas

Hasani u shpreh se, “ne mbështesim të drejtat e grave dhe vajzave sepse gratë dhe vajzat janë Shqipëria! Sepse rritja e përfaqësimit të tyre ka qenë e mbetet fokusi i qeverisë shqiptare”.

“Sepse gratë dhe vajzat përbëjnë shumicën në Shërbimin e Jashtëm dhe aktualisht drejtojnë përfaqësitë shqiptare kryesore në botë. Sepse, prej 10 vjetësh Shqipëria ka përfaqësimin më të lartë të grave në qeverisje, e ku në Kuvend 30% e deputetëve janë gra e vajza”, theksoi ai.

“Sepse, në administratë publike mbi 60 për qind i pozicioneve të mesme e të larta drejtuese mbahen nga gratë; Në polici  e Forcat e Armatosura përfaqësimi është gjithnjë e më cilësor. Sepse Shqipëria beson tek kjo çështje, tek të drejtat e grave e vajzave e mundësitë e barabarta”, u shpreh ministri Hasani.

“Sepse eksperienca na ka treguar, që sa më shumë hapësira të krijohen për gratë e vajzat, sa më shumë mundësi t’u jepen atyre, aq më e drejtë e më e mirë do të jetë shoqëria jonë. Sepse Shqipëria janë gratë dhe vajzat”, tha Hasani.

Video të ngjashme publikohen sot njëherësh nga Ministra të Jashtëm të 21 vendeve, me nismë të rrjetit për Politikë të Jashtme Feministe (FFP), ku bën pjesë edhe Shqipëria./ata