Në gjithë botën festohet sot Dita Ndërkombëtare e Gruas.
Në këtë ditë, jo vetëm që do të kremtohen arritjet e grave, por edhe do të vihen në dukje pengesat që hasin dita ditës.
Kur filloi?
Edhe pse u njoh nga Kombet e Bashkuara në 1977, Dita e Gruas e ka zanafillën në fillim të shekullit të 20, kur nisën protestat për punë në Amerikën e Veriut dhe Europë. Gjatë Lufës së Parë Botërore, anëtarët e lëvizjes së grave në Rusi , festuan Ditën e parë të Gruas më 8 mars 1913 për të protestuar luftën. Një vit më vonë, në të njëjtën datë, gratë në gjithë Europën u mblodhën në tubime për solidaritet.
Ishte Clara Zetkin, një aktiviste komuniste dhe mbështetëse e të drejtave të grave që sugjeroi krijimin e një dite ndërkombëtare si kjo. Ajo e prezantoi idenë e saj në Konferencën Ndërkombëtare të Punonjëseve në Copenhagen në 1910 dhe 100 gratë që gjendeshin aty nga 17 vende të botës, pranuan të gjitha në mënyrë unanime.
Fillimisht 8 marsi nisi të kremtohej në 1911-ën në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër. Pas Luftës së Dytë Botërore, thuajse të gjithë shtetet filluan ta përdornin 8 marsin si ditën e të drejtave të grave. Më shumë se një shekull më vonë, më 8 mars mbahen evente dhe marshime të pafundme për të kremtuar arritjet e grave dhe për të luftuar për barazi.
Origjina e festës së 8 marsit është e lidhur me një ngjarje tragjike. Një grup punëtoresh në një fabrikë tekstili në Nju Jork bënë grevë kundër kushteve ekstreme të punës. Më 8 mars, fabrika u mbyll dhe punëtorët mbetën të bllokuar brenda. Papritmas shpërtheu një zjarr, ku vdiqën 129 punëtore.
Pse 8 mars?
Kur Clara dha idenë e saj për një ditë ndërkombëtare të gruas, nuk kishte një datë fikse në mendje. S’ishte asgjë e zyrtarizuar derisa gjatë një greve në kohën e luftës në 1917, gratë ruse protestuan për “bukë dhe paqe” plot 4 ditë. Cari rus u detyrua të dorëhiqej dhe qeveria provizore i dha grave të drejtën për të votuar. Greva nisi më 8 mars dhe që prej asaj dite, Dita e Gruas kremtohet në këtë datë.
Pse në botë njerëzin vishen me lejla sot?
Lejlaja, jeshilja dhe e bardha janë ngjyrat e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, referuar ëebsite-it zyrtar të IWD. Lejlaja nënkupton drejtësi dhe dinjitet. Jeshilja simbolizon shpresën, kurse e bardha pastërtinë.
Kuptimi i mimozës
Siç e dini lulja mimozë është simboli i Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Zgjedhja e kësaj luleje daton në vitin 1946 kur gratë e U.D.I. (Bashkimi i grave italiane) vendosi të gjejë një lule për të përfaqësuar këtë festim. Kështu gjatë organizimit të ngjarjes së të 8 Marsit u propozua mimoza, një lule e sezonit e që kushtonte më pak. Prej atij momenti kjo lule u bë simboli i Ditës së Grave.
Kuriozitete nga bota
Dita e Gruas festohet në shumë vende të botës. Disa kuriozitet që vinë prej së largu? Le të fillojmë me Ekuadorin, ku ka një park dedikuar gruas, “El Parque de las Mujeres”. Në këtë ditë organizohen demonstrata dhe evenimente dedikuara vetëm për gratë. Në Peru gratë organizojnë festa dhe nuk lejojnë burrat të marrin pjesë në to. Evenimenti më popullor është “pollada” me tregjet ku shiten patate, mish pule etj, paratë e të cilave shkojnë për festimin e kësaj ngjarjeje. Në Honduras, asgjë nuk festohet më 8 mars, pasi kjo ditë festohet më 25 janar. Edhe në Afrikë festohet më 8 mars, në vende ku gratë kanë marrë një farë fuqie dhe luftojnë për idealet e tyre. Shoqatat e grave organizojnë festa të përmasave të mëdha në Kamerun dhe në një masë më të vogël në Zimbabve.