Transformimi urban i Berat po vijon në të gjitha lagjet, rrugët, sheshet e qytetit, ku po jetësohen një grup projektesh dinjitoze, që nga rehabilitimi i sheshit kryesor dhe pedonales, parkimi, fasadat e ndërtesave, ura, tregu i gjelbër, e plot lehtësi të tjera, duke krijuar hapësira, jo vetëm funksionale, por edhe atraktive për qytetarët e turistët e shumtë që vizitojnë Beratin, të cilët përgjatë vitit 2023 shënuan shifrën e 800 mijë vizitorëve.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Berat ku inspektoi disa nga kantieret e ngritura në zona të ndryshme të qytetit.
Tregu i gjelbër është një nga projektet, i cili po ngrihet një sipërfaqe prej 13 mijë metrash katrorë, i pozicionuar pranë rrugës nacionale që lidh hyrjen e qytetit me qendrën dhe i konceptuar si një strukturë e hapur e dedikuar për tregun e shumicës dhe pakicës së produkteve bujqësore. Në këtë treg parashikohet të sistemohen rreth 100 fermerë dhe të grumbullohen produktet e 35 fshatrave.
“Këtu jemi në tregun më të ri të qytetit, në fakt tregu i vetëm në qytetin e Beratit. Kjo është një zonë, e cila ka pasur problematika të theksuara për shkak edhe të abuzimit me hedhjen e mbeturinave. Këtu parashikojmë të kemi të instaluara 120 poste për fermerët. Me realizimin e këtij projekti, ne kemi përmirësuar kushtet dhe është shumë e lehtë që të bindim të gjithë fermerët që ta përdorin këtë, jo thjesht për të shitur produktet e tyre edhe me shumicë, por mbi të gjitha edhe për vetë banorët e zonës sepse kjo është shumë afër gjithë zonës urbane të qytetit, qoftë rajonit 1, por edhe qendra e qytetit. Parashikohet me vendparkime të dedikuara për ata që do të operojnë dhe kjo është vetëm faza e parë. Ne mendojmë që është aset i shtuar edhe për vetë turizmin, sidomos me produktet e jashtëzakonshme që ka qyteti i Beratit. Turistët që vizitojnë Beratin dhe janë me qindra e mijëra tashmë, – rreth 800 mijë vetëm për vitin 2023, – do të kenë mundësi që dhe produktet t’i prekin në këtë zonë ku e gjithë treva është e përfaqësuar me produkte të freskëta.Është një aset i domosdoshëm për të kapur një nivel tjetër dhe për të integruar sektorët me njëri-tjetrin” – shpjegoi kryetari i bashkisë Ervin Demo.
Ndalesa e radhës ishte në sheshin kryesor të Beratit, i cili po rikonstruktohet, së bashku me fasadat e ndërtesave, parkimin e pedonalen, duke siguruar një transformim rrënjësor të qendrës së Beratit.
“Këtu jemi tashmë në sheshin kryesor të Beratit, që është mbi parkim në fakt. Parkimin ju e keni vizituar edhe vetë, është një parkim me rreth 200 mjete, që është një kapacitet i konsiderueshëm dhe gjithë kjo aureolë e qendrës së qytetit. Ne tashmë kemi përfunduar dhe projektin përsa i përket fasadave që e kemi diskutuar edhe më parë për një rehabilitim disi të formalizuar edhe më shumë dhe do të shkojmë me gjithë peizazhin që ka qendra e qytetit, por ky është një transformim rrënjësor në qendrën e Beratit” – u shpreh kryebashkiaku Demo, ndërsa shtoi se elemente të veçantë të infrastrukturës kanë ruajtur identitetin e tyre.
“Vetë rruga Antipatrea është kthyer në identitet sepse është bërë e gjitha me gur, siç ka qenë në fakt edhe përpara gati 80 vjetësh dhe pastrimi ishte shkrirja me sheshin e madh të qytetit që është një shesh rreth 8000 metra katror. Kjo është një rilindje e Beratit, e paimagjinueshme pak vite më parë. Sot vetëm në zonën historike të qytetit, në qendrën muzeale, Mangalem, Goricë dhe Kala janë më shumë se 35 bujtina që janë duke u ndërtuar” – detajoi ai teksa theksoi se investimet publike që po bëhen në qytet, po ndiqen në mënyrë të barabartë edhe nga sektori privat dhe energjia që po çlirohet është e jashtëzakonshme./ata