Numri i pensionistëve dhe të rinjve me llogari bankare me kosto zero është shtuar ndjeshëm.

Kështu deklaroi për mediet, zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë dhe kryetare e Komitetit Kombëtar të Pagesave Luljeta Minxhozi, teksa vuri në dukje, “se ka një interes të shtuar të pensionistëve që kanë emigruar, për hapjen e llogarive bankare”.

Sipas saj, BSH ka një marrëveshje me Fondin e Pensioneve, që parashikon se edhe pensionistët mund të hapin një llogari me kosto zero në bankë dhe të transferojnë pagesat e tyre të pensioneve në bankë.

“Nga sa kemi marrë informacion nga bankat tregtare, është shtuar numri i pensionistëve të cilët po preferojnë të hapin llogari bankare. Interes po shihet sidomos tek gjeneratat e fundit që janë familjarë me marrjen e pagës në bankë, por edhe për personat që kanë emigruar dhe kanë arritur moshën e pensionit në emigracion dhe kanë të drejtën të marrin një pension për kontributet që kanë derdhur në Shqipëri, dhe kjo kategori sipas raportimit të bankave, janë segmente të popullsisë që janë shumë të interesuar të hapin një llogari digjitale të transferojnë atje fondet e tyre të pensioneve”, u shpreh Minxhozi.

Ajo tha se, ligji për llogaritë bazike, i lejon çdo individi mbi 18 vjeç të hapë një llogari bankare dhe ta mbajë atë të hapur pa asnjë kosto për një periudhë 3-vjeçare, deri sa të stabilizojë flukset e hyrjes dhe daljes në formën e pagesave, të konsolidohet në apo biznes.

“Ky është një hap shumë i mirë për të rritur përfshirjen financiare dhe synimi është përfshirja e sa më shumë të rinjve në sistemin financiar”, deklaroi ajo.

Minxhozi bëri të ditur se, 53% e popullsisë ka një llogari bankare, tregues që raporton se është dyfishuar numri i individëve që marrin shërbime në banka./ara