Ish-ministri Ilir Beqaj u paraqit këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të masës së sigurisë të vendosur nga Gjykata në kuadër të hetimit për koncesionin e sterilizimit.

Pas paraqitjes në SPAK, ish-ministri u ndal në një prononcim për mediet. Beqaj, duke theksuar se është i hapur ndaj hetimit dhe përballjes me gjykatën, shtoi se SPAK nuk po i mundëson dokumentacionin mbi të cilin bazohet hetimi.

“Jam i hapur dhe në dispozicion të hetimeve. Jam i bindur që ajo çfarë unë mendoj që është e drejta ime, do të përballet në Gjykatë dhe jo në Prokurori”, tha Beqaj.

“Vij këtu çdo të premte, paraqitem në SPAK, në zbatim të një vendimi të gjykatës, si person nën hetim. Kur kam kërkuar aktet, më është vënë përpara një urdhër i kancelares, që flet për palë të treta. Atëherë, duhet të ma ndajnë jam në hetim apo jam palë e tretë. Unë jam një person nën hetim dhe udhëzimi i përgjithshëm i drejtuesit të SPAK-ut i shtatorit, në lidhjen 1, flet për një proces verbal që e mban prokurori në librin e shpenzimeve, jo personi nën hetim. Personi nën hetim, në fund të hetimit siç e vendos gjykata paguan shpenzimet. Duhet ta ndajnë jam palë e tretë apo nën hetim?”, theksoi më tej Beqaj.

I pyetur mbi paraqitjen e ish-ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në SPAK, Beqaj përsëriti atë që ka deklaruar më herët. “Kam kërkuar të hetohet përse nuk u vu në punë dy vite e gjysëm, por u mbajt aty, kur nevoja ishte ulëritëse. Dhe ndërkohë kam kërkuar të hetohen avantazhet që ka sjellë kjo kontratë në krahasim me kohën kur përdorej centrali i sterilizimit”, përfundoi Beqaj./ata