Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka mbërritur në Istanbul për t’u takuar me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan.
Avioni që transportonte presidentin Zelenskyy dhe delegacioni i tij shoqërues, përfshirë ministrin e Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, zbarkoi në aeroportin Atatürk në Istanbul.
"Vizita do të përfshijë një diskutim të detajuar të rrjedhës së luftës Ukrainë-Rusi, situatën e fundit të kontakteve lidhur me vazhdimin e Marrëveshjes së Korridorit të Drithit, si dhe përpjekjet për paqe të qëndrueshme në rajon", njoftoi më herët Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes.
Bisedimet gjithashtu do të trajtojnë marrëdhëniet dypalëshe.
Türkiye, e vlerësuar në nivel ndërkombëtar për rolin e saj të ndërmjetësit midis Ukrainës dhe Rusisë, vazhdimisht i ka bërë thirrje Kievit dhe Moskës që përmes negociatave t’u japin fund luftimeve që filluan në shkurt të vitit 2022.
Përpjekjet turke për paqe kanë qenë të frytshme, si marrëveshja historike e drithërave në korrik të vitit 2022 dhe shkëmbimi i robërve të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Moska nuk e zgjati marrëveshjen e drithërave pas korrikut të vitit 2023, duke përmendur kufizime në eksportet ruse të drithërave./aa