Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në një konferencë për mediet pas takimit në Shkodër mes qeverisë qendrore dhe bashkive se tarifa që paguajnë qytetarët shqiptarë apo kartoni jeshil kur hyjnë në Malin e Zi është çështje që po zgjatet por që do marrë zgjidhje.
Rama tha se e ka diskutuar heqjen e kësaj tarife me Abazoviç kur ishte në detyrë si dhe me kryeministrin e ri të sapozgjedhur në telefonatën kur e uroi për detyrën.
“Kam kërkuar që të hiqet tarifa për qytetarët tanë. Ne jemi më të mirë, nuk u marrim asnjë cent qytetarëve të Malit të Zi, presim që edhe ata të jenë të mirë”, tha Rama.
Kryeministri njoftoi se e ka diskutuar çështjen me zv.kryeministrin e Malit të Zi, Nik Gjeloshin i cili do të angazhohet në këtë drejtim.
“Besoj se është çështje burokracie. Pala e Malit të Zi janë të vullnetshëm, e çmoj shumë bashkëpunimin që kemi me Malin e Zi, shumë pozitiv”, tha Rama.
“Ne kemi burokracitë tona, vonesat, pengesat tona por kur mendoj për burokracinë gjermane apo italiane them se jemi mirë. Tarifa besoj do të hiqet se s’ka kuptim”, tha Rama./ata