Rritja e numrit të turistëve dhe veçanërisht interesi i tyre i shtuar për kryeqendrën e veriut të vendit, Shkodrën, ka ndikuar në shtimin e bujtinave që mikpresin vizitorë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga vizita në Boutique Hotel “Atelier”, ku u takua me sipërmarrësin e kësaj strukture hoteliere.
Kryeministri bëri të ditur se vizitorët po shtohen përditë në Shkodrën turistike, ku shtëpitë e moçme janë kthyer në bujtina duke hapur dyert për bujtësit.
“Me Arjetin, zot e kryepunëtor i shtëpisë, dy hapa larg pedonales së Shkodrës, ku zgjohesh nga kënga e kumbanoreve dhe ndjen qytetin e vjetër me poetët, muzikantët, piktorët, artizanët e shijen e shtëpive të veta të moçme, që bartin kujtime të fisme e të dhimbshme, teksa po nisin të hapin dyert njëra pas tjetrës për të mikpritur bujtës, të cilët shtohen përditë në Shkodrën turistike që po rilind”, tha Rama.
Përveç rritjes së numrit të strukturave hoteliere në zonën urbane, edhe agroturizmi është kthyer në një motor zhvillimi ekonomik për zona më të thella bujqësore dhe blegtorale ndërsa politikat nxitëse janë të orientuara sipas kërkesës dhe nevojës së sipërmarrësve ruralë./ata