Në Kuvendi e Shqipërisë është depozituar një projektligj i propozuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Klevis Xhoxhi ku parashikohet që marrëdhënia e punës në Shërbimin e Provës të rregullohet sipas Kodit të Punës, duke dalë jashtë sistemit të nëpunësit civil.
Në draftligjin e depozituar në Kuvend dhe që pritet të nisë rrugëtimin në komisionet parlamentare, kërkohet që punonjësit e Shërbimit të Provës, të mos jenë më pjesë e sistemit të nëpunësit civil, por që marrëdhënia e tyre të punës më Drejtorinë e Shërbimit të Provës të jetë e rregulluar sipas Kodit të Punës dhe në bazë të rregullores së brendshme të institucionit.
Draftligji ka në total pesë nene. Në nenin e parë, kërkohet ndryshim tek neni që saktëson organizimin e Shërbimit të Provës. Konkretisht ndryshohet pika e parë e nenit 6, duke u bërë nga “Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të Shërbimit të Provës në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës dhe të degëve territoriale rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil”, në “Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të Shërbimit të Provës dhe punonjësve administrative në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës dhe të degëve territoriale, rregullohen sipas Kodit të Punës i Republikës së Shqipërisë”.
Po ashtu, në kuadër të këtij ndryshimi, në të njëjtin nen shtohet pika, në të cilat saktësohet se paga e nëpunësit të Shërbimit të Provës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me ligjin nr. 35/2023 “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”.
Po ashtu, në draftligj hiqet pika 2 e nenit 11, ku përcaktohet se; “Drejtori i degës territoriale të Shërbimit të Provës emërohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra në përputhje me legjislacionin në fuqi për nëpunësin civil”, duke ia lënë këtë kompetencë organizimit të brendshëm të institucionit.
Në kuadër të ndryshimeve të mësipërme, edhe në nenin 12 të ligjit, shfuqizohet pika, ku parashikohej se “Specialisti i Shërbimit të Provës emërohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra në përputhje me legjislacionin në fuqi për nëpunësin civil”, duke ia atribuuar këtë Kodit të Punës dhe rregullores së brendshme.
Në dy nenet e fundit, saktësohet se ligji hyn në fuqi brenda 15 ditëve nga data e miratimit dhe se Këshilli i Ministrave nxjerr aktet nënligjore brenda gjashtë muajve nga miratimi i ndryshimeve ligjore.
Në relacionin bashkëngjitur draftligjit, bëhet me dije se ndryshimet ligjore të kërkuara nga deputeti socialist Xhoxhi kërkohen pasi mënyra aktuale e rregullimit të marrëdhënieve të punës ka krijuar problematika në organikën e Shërbimit të Provës për shkak të vakancave të shpeshta të krijuara, kohës së gjatë të rekrutimit që kërkohet sipas ligjit për nëpunësin civil duke sjellë si pasojë vështirësi në funksionimin dhe në përmbushjen e misionit të degëve territoriale./ata