Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku u shpreh sot se hapja e negociatave me BE-në është një proces teknik.
Në një intervistë televizive, Tabaku komentoi lajmin e publikuar sot se Shqipëria do të hapë më 15 tetor në Luksemburg diskutimin e kapitujve të parë të negociatave me BE-në, për çështjet themelore.
“Nuk ka vend për triumfalizëm nga ana e qeverisë për diçka që duhet të ndodhte vite më parë. Shqipëria në vitin 2013 ishte gati për të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat. Jemi rasti ekzemplar në të gjithë vendet e rajonit dhe në historinë e gjatë të procesit të integrimit ku për 10 vite Shqipëria nuk pati asnjë avancim. Së dyti, ky moment ishte gati për t’u realizuar brenda tre vitesh”, tha ajo.
Tabaku njoftoi se ditën e nesërme do të ketë një mbledhje të Komisionit të Çështjeve Europiane, ku qeveria do të prezantojë pozicionin negociues.
Sipas Tabakut, “ky është një proces kryekëput teknik që u bllokua për arsye politike”.
“U bllokua si rezultat i kontestimit të zgjedhjeve në Himarë, ku një nga vendet e Bashkimit Europian, në këtë rast Greqia, e bllokoi procesin. Për mua kjo ishte e padrejtë, sepse Shqipëria në këtë rast, qeverisë nuk i interesonte, por këtu humbnin qytetarët dhe qytetarët boll kanë humbur kohë dhe ju jeni të ndërgjegjshëm që çdo arritje e madhe në procesin e integrimit është bërë dhe është arritur nga Partia Demokratike”, shtoi ajo.
Tabaku tha se “edhe për opozitën është përfituese që të lëvizim në këtë proces”. “Procesi i integrimit është me të vërtetë një mjet i jashtëzakonshëm për ndryshim”.
“Unë nuk mendoj që do të hapen negociatat dhe do të mbyllen kufinjtë dhe do të ndodh një mrekulli këtu brenda, por unë mendoj që do të jetë një motivim i brendshëm së pari për ta ndaluar qeverinë nga vendime autoritare, së dyti për të pasur më shumë kontroll mbi institucione dhe së treti për të pasur një raportim periodik i cili sot nuk ndodh”, shtoi ajo./ata