Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali uroi sot për fitoren kryetarin e ri të bashkisë së Himarës, Vangjel Tavon.

Spiropali u shpreh se, populli i Himarës dëshmoi një kulturë të lartë politike, qytetare e demokratike.

“Zgjedhjet në Himarë përfunduan. Populli i Himarës foli, zgjodhi, dëshmoi atë që dihej dhe pritej: një kulturë të lartë politike, qytetare e demokratike. E rëndësishme është që fushata dhe procesi ishin të qetë, të rregullt, me standardet e një shoqërie demokratike të një vendi anëtar të NATO-s, që përparon me shpejtësi drejt BE-së, të një vendi lider në rajon, që konsolidon pareshtur vlerat dhe institucionet e demokracisë liberale”, theksoi Spiropali në një reagim.

“Urime të përzemërta kryetarit të ri të bashkisë, kolegut dhe mikut Vangjel Tavo, për fitoren. Punë të mëdha të presin, i merituar Kryetar, për progresin dhe mirëqenien e njësive administrative Himarë, Lukovë dhe Horë-Vranisht, të të gjithë himariotëve, pa dallim”, u shpreh Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit përgëzoi gjithashtu qytetarët e Bashkisë Himarë për kulturën e lartë qytetare, tolerante, patriotike dhe demokratike./ata