Kreu i bashkisë së Kavajës Fisnik Qosja, në një intervistë televizive, lidhur me takimin e Shkodrës, u shpreh tejet optimist për bashkëpunimin me qeverinë në interes të qytetarëve.
Qosja tha se ai nuk i beson bojkotit. “Në Shkodër ishte takimi i parë i realizuar i kësaj natyre. Ishte takim pune me Kryeministrin, ministrin e linjës dhe qeverinë e Shqipërisë. PD është mësuar me bojkotet, por unë nuk i besoj bojkotit. Duhet të jemi përballë në terren me njerëzit. Unë jam kundër bojkotit. Opozita është me mentalitet të ri” tha Qosja.
Duke folur për problematikat që sot ka Kavaja, ai tha se ka bashkia që ai drejton ka një borxh të akumuluar prej shumë vitesh. “I kemi marrë të gjitha masat. Qeveria do të na mbështesë, kështu u tha nga Kryeministri. Duhet të bëjmë një plan të detajuar, bashkë me Ministrin e Financave për të dalë nga kriza dhe për të larë borxhin”, tha Qosja.
Kreu i Bashkisë së Kavajës deklaroi se priten investime në industrinë e turizmit.
“Pika kyçe e Kavajës është bregdeti. Biseduam me disa anëtarë të qeverisë për zhvillimin e industrisë së turizmit, infrastrukturën e ujërave të zeza dhe pastrimin e bregdetit dhe zonave përreth. Jemi duke punuar për të qenë gati për sezonin turistik”, tha Qosja.
Kryebashkiaku i Kavajës tha se premtimi i Kryeministrit Rama për rritje rrogash është i mirëpritur.
“Rritja e rrogave? Unë s’dua të hyj fare tek diskutimi politik. Ne na intereson që punonjësit të marrin pagë më të mirë. Nëse qeveria e bën këtë është shumë e mirë. Niveli pagës duhet të rritet dhe duhet të rritet dhe niveli i njerëzve që punojnë në Bashki”, theksoi Qosja.
Duke folur për grantet, Qosja tha se qëndrimi i qeverisë është stimulues për të përmirësuar performancën.
“20% e grantit si grant performance na jep më shumë indicie që të punojmë më fort. Kam disa projekte shumë të mira për qytetin e Kavajës. Do ia paraqesim qeverisë dhe mbetemi me shpresë që të na mbështesë dhe të mos na shohë si të njerkës”, tha Qosja.
Ai mbylli fjalën duke theksuar se takimi i Shkodrës tregoi se interesi i qytetarëve prevalon mbi interesin politik.
“Ndasitë janë të shumta politikisht duke folur, por na bashkon interesi i qytetarëve. Këtu në këtë karrige jam si kryetar i bashkisë i votuar nga qytetarët e Kavajës, të djathtë dhe të majtë. E kam miratuar buxhetin me unanimitet, duke krijuar një klimë të mirë në Kavajë”, përfundoi Qosja./ata