Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh sot se “mbi 12 mijë biznese kanë mbyllur aktivitetin në vitin 2023”.
Gjatë një konference për mediet, Meta u shpreh se “nëse vazhdon ky ritëm dramatik pas 10 vitesh të gjitha bizneset në vend do të shpallin falimentin”.
Sipas tij, “mbyllja e mbi 12 mijë bizneseve është dëshmia më e qartë e situatës tepër të rëndë ekonomike ku ndodhemi”.
“Shqipëria numëron rreth 120 mijë biznese aktive në total, çka do të thotë se vetëm gjatë vitit që lamë pas, 10% e totalit të bizneseve në vend kanë vendosur të pezullojnë aktivitetin. Të goditura nga taksat e larta arbitrare dhe të pa paralajmëruara të Qeverisë dhe nga tarifat e papërballueshme të pushtetit lokal, nga gjobat arbitrare, nga korrupsioni dhe informaliteti që ka kapur qiellin, bizneset po falimentojnë dhe po ulin masivisht qepenat duke goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë ekonomitë familjare dhe lënë pa të ardhura dhjetëra mijëra qytetarë të tjerë”, tha ai.
Meta theksoi se mbyllja e bizneseve dhe e mijëra vendeve të punës do të përkeqësojë statusin social të familjeve shqiptare duke i varfëruar ato më tej”.
“Kjo situatë godet indirekt edhe pensionistët të cilët në numrin më të madh ndihmohen me të ardhura nga fëmijët e tyre që ushtrojnë aktivitete private”, shtoi ai.
Po ashtu Meta foli edhe për reformën zgjedhore, ndërsa u shpreh se votimi i emigrantëve është një domosdoshmëri që nuk duhet të shtyhet edhe më.
Sipas tij, reforma zgjedhore duhet t’i japë zgjidhje të gjitha problematikave që janë evidentuar nga raportet e OSBE/ODHIR për dy zgjedhjet e fundit.
“Votimi i emigrantëve është një domosdoshmëri që s’duhet shtyrë më. Së dyti kemi bërë të qartë se reforma zgjedhore duhet të adresojë dhe t’i japë zgjidhje dhe një ndëshkim për ato fenomene të vërejtura nga ODHIR, si për zgjedhjet parlamentare të 2021 dhe ato të 14 majit. Në këtë drejtim qëndrimet e opozitës janë të qarta dhe të panegociueshme”, tha Meta./ata