Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Blendi Çuçi e konsideroi sot një lajm pozitiv, faktin që opozita u ul për të diskutuar në Konferencën e Kryetarëve.

Në një prononcim për mediet pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Çuçi u shpreh se “sot u duk sikur rivendosëm dialogun dhe bashkëbisedimin aty ku e lamë në tetor 2023”.

“Ne ramë dakord në parim për rikthimin në jetën parlamentare normale. Sot vendosëm në Konferencën e Kryetarëve, që të rregullohen objektet për dy komisionet hetimore, që ata i propozuan vetë se cilët janë”, tha Çuçi.

Sipas tij, rikthimi në mbledhjen e konferencës së kryetarëve ishte frymë e mirë për vazhdimin e një jetë normale parlamentare në vend.

“Unë besoj se ata janë të bindur se aksioni i tyre nuk i çon askund. Opozita zgjodhi që të ikë nga organet e parlamentit dhe të bëjë atë aksion, ku besoj tashmë janë të bindur që nuk i çon gjëkundi dhe vendosën të hyjnë në jetën normale parlamentare”, tha ai./ata