Parlamenti Evropian ka miratuar rregulla të reja për të harmonizuar sanksionet e Bashkimit Evropian (BE) në të gjitha vendet anëtare.
“Me 543 vota pro, 45 kundër dhe 27 abstenime, Parlamenti Evropian ka miratuar një direktivë, të rënë dakord me vendet anëtare, për kriminalizimin e shkeljes dhe anashkalimit të sanksioneve të BE-së. ajo do të prezantojë një përkufizim të përbashkët dhe dënime minimale për shkeljet”, njoftoi Parlamenti Evropian.
Më tej, theksohet se zbatimi i sanksioneve, të cilat miratohen në nivel të BE-së, varet nga vendet anëtare dhe më pas ndryshojnë përkufizimet e shkeljes së sanksioneve dhe dënimeve të lidhura.
“Ligji i ri vendos përkufizime të qëndrueshme për shkeljet, duke përfshirë mos ngrirjen e fondeve, mos respektimin e ndalimit të udhëtimit ose embargon e armëve, transferimin e fondeve te personat që i nënshtrohen sanksioneve ose që bëjnë biznes me entitete shtetërore të vendeve nën sanksion”, tha Parlamenti Evropian.
Gjithashtu ofrimi i shërbimeve financiare ose shërbimeve këshillimore ligjore që shkelin sanksionet do të konsiderohet po ashtu si një vepër e dënueshme.
“Direktiva siguron që dënimi për shkeljen dhe anashkalimin e sanksioneve është bindëse, duke i bërë ato vepra penale që mbartin dënime me burg deri në maksimum prej pesë vjetësh në të gjitha vendet anëtare”, thuhet në njoftim./aa