Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së ka bërë vlerësimin se koalicioni i krahut të djathtë i udhëhequr nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu mund të jetë në rrezik.
Në raportin vjetor 2024 për vlerësimin e kërcënimit të publikuar nga Zyra e Drejtorisë së Inteligjencës Kombëtare u shprehën shqetësime lidhur me vizionin e Izraelit për t‘i dhënë fund luftës në Gaza.
"Koalicioni i djathtë i Netanyahut mund të jetë në rrezik", thuhet në raport.
"Në mesin e popullit është zgjeruar mosbesimi për aftësinë e Netanyahut për të qeverisur, i cili aktualisht ishte i lartë para luftës", shtohet në raport.
Ndër të tjera, në raport theksohet se priten protesta të mëdha që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë Netanyahu dhe zgjedhje të reja si dhe gjithashtu vihet në dukje "mundësia e një qeverie të ndryshme dhe më të moderuar".
Po ashtu përmendet parashikimi se Izraeli do të ketë vështirësi në arritjen e objektivit të tij për të "eliminuar Hamasin".
"Izraeli ka mundësi që në vitet e ardhshme të përballet me rezistencën e armatosur të Hamasit. Ushtria do të luftojë për të neutralizuar infrastrukturën nëntokësore që lejon anëtarët e rezistencës të fshihen, të rifitojnë forcë dhe të befasojnë forcat izraelite", vlerësohet ndër të tjera në raport.
Raporti tërheq vëmendjen se Izraeli do të përballet me më shumë presion ndërkombëtar për shkak të "situatës së rëndë humanitare" në Rripin e Gazës dhe se sulmet me mbështetje iraniane do të rrezikojnë stabilitetin në Liban, Irak, në Gji dhe Detin e Kuq dhe se është ende i lartë rreziku që procesi të shndërrohet në një konflikt të drejtpërdrejtë ndërshtetëror.
Po ashtu në raport thuhet se "sulmet e 7 tetorit nuk i ka kryer Irani ose ai nuk ka pasur dijeni më parë"./aa