Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga zbukurimet në qytetin e Elbasanit me rastin e Ditës së Verës, 14 marsit.

“Vera vjen nga Elbasani i ballokumeve që po bëhet gati të festojë ripërtëritjen e jetës dhe për të shijuar gëzimin pranë njerëzve”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.

“I gjithë qyteti po përjeton energjinë e një atmosfere fantastike me një super program që s’duhet humbur për Ditën e Verës”, theksoi Rama.

Me një dekor me lule shumëngjyrëshe që lajmërojnë ardhjen e pranverës është zbukuruar i gjithë qyteti, madje edhe vetë lokalet në qendër për nder të kësaj tradite shekullore kanë zbukuruar ambientet e jashtme dhe fasadat me shumë drita dhe plot gjallëri.

Kjo festë pagane me origjinë nga Elbasani, parashikon që edhe këtë vit të mbushë qytetin me miq nga vendi dhe jo vetëm.

Festa vjen edhe me shumë risi, ku ashtu si çdo vit axhenda e festimeve pasurohet me detaje të cilat nuk janë parë më herët. Për herë të parë do të organizohet parada me trupat e asambleve nga i gjithë qarku i Elbasanit si dhe Maqedonia e Veriut.

Këtë vit nuk mungojnë edhe ekspozitat, ajo e pikturës, ekspozita e nxënësve të shkollës artistike “Onufri”, por edhe mundësi për të gjithë qytetarët e Elbasanit që kontribuojnë për çështje specifike.

Në sheshin kryesor do të performojnë një sërë këngëtarësh me emër në vend, por edhe këngëtarët e rinj të Elbasanit.

14 Marsi është një ditë aktivitetesh të shumta, ekspozita, panairi, si edhe panairi i gatimeve tradicionale të Elbasanit.

Risia e kësaj feste, është një traditë e Elbasanit në një ekspozitë vetëm me fëmijët, ku do të prezantohen tavat e Elbasanit si traditë e kulinarisë së Elbasanit, në bashkëpunim edhe me kuzhinierët e qytetit.

Për herë të parë në bibliotekën e qytetit do të mbahet një simpozium mbi historikun e Ditës së Verës./ata