Diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor është zgjidhja e vetme ndaj krizës, me të cilën po përballet sektori i energjisë në Evropë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i ftuar nga homologu hungarez, Péter Szijjártó, në Forumin Ballkanik të Budapestit, nënvizoi kapacitetin e vendit tonë për prodhimin e energjisë nga uji, por edhe nga dielli e era.
“Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur për shkak të pozicionit të saj gjeografik në Korridorin Jugor të Gazit, veçanërisht përmes Gazsjellësit Trans – Adriatik. Është një model i bazuar në diversifikimin,ku energjia shërben si katalizator për hapjen e rrugëve të duhura për tregtinë dhe diplomacinë”, tha ai.
Kryediplomati shqiptar theksoi se, përfshirja e Shqipërisë në rrugët kryesore energjetike të kontinentit, i jep potencial vendit tonë për t’u kthyer në një nyje të rëndësishme strategjike.
“Është koha që ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm të punojmë për prodhimin e energjisë brenda vendit, por edhe të bashkërendojmë strategjitë e të kthehemi në potencial kryesor të sigurisë energjitike për Evropën”, nënvizoi Ministri.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Hungari, ishte pjesë e panelit “Siguria Energjitike, Rigjallërimi i Sigurisë” në Forumin Ballkanik të Budapestit./ata