Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, nga Budapesti ka udhëtuar sot pasdite drejt Spanjës, ku do të pritet në një takim nga ministri për Punët e Jashtme, Bashkimin Evropian dhe Bashkëpunimin i Spanjës, Jose Manuel Albares Bueno.

Në fokus të vizitës do të jenë çështje të tilla si forcimi i bashkëpunimit dypalësh Shqipëri-Spanjë, ecuria e Shqipërisë në rrugën drejt BE, identifikimi i perspektivave ekonomike për forcimin e mundësive të tregtisë dhe investimeve etj.

Ministri Hasani do të marrë pjesë edhe në forumin e biznesit Shqipëri – Spanjë. Për vitin 2023 Spanja renditet në vendin e 9-të të partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë.

Tregu spanjoll është i 5-ti më i madhi në vlerë për eksportet shqiptare dhe furnizuesi i 13-të për Shqipërinë.

Këtë vit Shqipëria dhe Spanja festojnë 110-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike./ata