Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, theksoi sot rëndësinë e afrimit pranë PS-së të gjithë njerëzve, përtej përkatësive partiake.

Gjatë takimit me organizatat socialiste 3892 dhe 3892/1 në Pogradec, Rama theksoi se prej disa javësh PS është përfshirë në një proces intensiv në aspektin e rritjes së çdo organizate.

“Për hir të së vërtetës, ky është një hap i domosdoshëm por që do të duhet të shoqërohet me të tjera hapa më pas. I gjithë qëllimi i këtij procesi që e kemi quajtur rinenergjizim të PS-së, gjë që PS e ka bërë vijimësisht midis dy zgjedhjeve dhe që ka rezultuar një eksperiencë pozitive, por që nga ana tjetër na ka mësuar se si kur ribëjmë një proces të tillë të jemi më të vëmendshëm dhe më të qartë për ta bërë më mirë”, tha Rama.

Sipas tij, sot ky proces lidhet edhe me një kontekst të jetës së vendit që është disi më ndryshe se më parë, pasi sot Shqipëria ka hapur një portë të re.

“Shqipëria është sot në një fazë tjetër të rrugëtimit të saj duke u mbështetur tek një progres i vazhdueshëm, ndërkohë që ky progres kërkon garanci dhe fuqi për të vazhduar edhe më tutje, për të qenë edhe më i thellë edhe më i shpejtë”, tha Rama.

Për këtë arsye, ai theksoi se duhet të fuqizohet PS.

“Duhet ta hapim më shumë PS-në se çdo herë tjetër. Të përpiqemi që hapja të jetë sa më funksionale duke synuar që përmes çdo organizate në çdo komunitet ne t’i kapërcejmë kufijtë partiakë që sot janë më të kapërcyeshëm se para disa vitesh si rezultat i një kthjellimi të njerëzve të zakonshëm në përgjithësi mbi rëndësinë e interesit të drejtpërdrejt të familjes, komunitetit dhe të vendit. Më shumë se sa mbi rëndësia e përkatësisë partiake dhe shumë të dhëna të zgjedhjeve të fundit e konfirmojnë këtë gjë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “mënyra si gjërat po zhvillohen në Shqipëri janë një arsye më shumë që të synojmë t’i japim njerëzve përtej kufijve partiakë”.

“Duhet t’u japim edhe atyre që i kemi në të njëjtën lagje, godinë banimi, përballë derës ku jetojmë dhe që kanë qenë vijimësisht në anët e tjera të politikës, mundësinë që të përfshihen në PS drejtpërdrejtë dhe të zgjedhin anën tonë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se kudo ku kjo ka ndodhur ka qenë në të mirën e komunitetit.

“Shembulli më kuptimplotë është Shkodra ku të gjithë po e shohin se me ndryshimin e kahjes së mbështetjes po ndryshon vendi i tyre. Të gjithë po e kuptojnë se vota nuk është biletë për stadium, për të shkuar e bërë tifozllëk me skuadrën e zemrës. Vota nuk është një çështje zemre me sy mbyllur ndaj realitetit dhe mendjen të fjetur për të mos parë e kuptuar racionalisht se çfarë të vlen më shumë”, tha Rama./ata