Kryeministri Edi Rama nga Ankaraja, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha shqiptarët do të mund të lëvizin lirisht me automjetet e tyre, me lejet e drejtimit të tyre në Turqi.

Gjatë fjalës së tij, Rama falënderoi presidentin turk për miratimin e kësaj marrëveshje.

“Faleminderit shumë për lejet e drejtimit që ju i miratuat dhe tani shqiptarët do të mund të lëvizin lirisht me automjetet e tyre, me lejet e drejtimit. Në këtë rast na i miratuat pas Gjermanisë, por e mirëkuptojmë vonesën”, u shpreh Rama.

Në fillim të pranverës, shtetasve shqiptarë që jetojnë në Turqi, do t’iu njihen patentat që kanë marrë në Shqipëri çka do të jetë e vlefshme dhe për shtetasit turq që jetojnë në vendin tonë.

Parlamenti turk tashmë e ka miratuar marrëveshjen për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të makinave./ata