Këshilli i Ministrave ngarkoi Fondin Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor për realizimin e projektit “Kolegji i Europës”.

“Këshilli i Ministrave vendosi caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese për realizimin e projektit “Kolegji i Evropës” dhe autoritet kontraktor për kryerjen e procedurave të prokurimit publik për hartimin e zbatimin e projektit, sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, duke lidhur edhe kontratat përkatëse, si dhe të ndjekë zbatimin e tyre e të projektit”, thuhet në vendim.

Në funksion të realizimit të projektit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, në përputhje me kërkesat e Kolegjit të Evropës, dhe parashikimet e marrëveshjeve ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kolegjit të Evropës, harton programin e zhvillimit dhe ndjek detyrën e projektimit për realizimin e projektit “Kolegji i Evropës”.

Projekti do të realizohet mbështetur në parashikimet e vendimit të Këshillit të Ministrive, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktor për zhvillimin e procedurave të prokurimit publik për projektet “Ndërtim i kampusit të ri të Universitetit të Tiranës”, “Ndërtim i godinave të Universitetit të Arteve të Tiranës” dhe “Ndërtim i Korpusit të Policisë së Shtetit, Policisë Shkencore dhe Akademisë së Sigurisë””.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe bashkia Tiranë do të lidhin marrëveshje bashkëpunimi, në funksion të zhvillimit të projektit.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit do t’i paraqesë Ministrisë së Financave kërkesën për të hartuar e për të ndërmarrë nismën për alokimin e fondeve të nevojshme për zbatimin e projektit prej tij. Fondi për realizimin e projektit “Kolegji i Evropës” parashikohet në programin “Programe zhvillimi” të Fondit Shqiptar të Zhvillimit./ata