Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) vijon me trajnimet e nëpunësve të administratës vendore për proceset e punës në sekretari-arkiv.
Ditën e sotme, u zhvillua seminari njëditor i radhës, ku morën pjesë punonjës të sekretari-arkivave nga institucionet vendore të Belshit dhe të Cërrikut. Ky seminar u drejtua prej përgjegjësit të sektorit të Politikave Arkivore dhe të Trajnimeve në DPA, Z. Ylber Ramaj. Në këtë trajnim, pjesëmarrësit u informuan mbi detyrimet ligjore që kanë ndaj ligjit “Për arkivat”. Trajnimi përfshiu edhe njohjen me disa procese të punës arkivore që kanë të bëjnë me tematikat e poshtëlistuara:
– Krijimi i kushteve për ruajtjen e dokumenteve;
– Përpunimi dhe inventarizimi i dokumenteve;
– Rregullat për asgjësimin e dokumenteve që kanë plotësuar afatin e ruajtjes.
Më herët, DPA-ja ka zhvilluar trajnime në Divjakë, në Shijak, në Kavajë dhe në Kurbin. Tërësia e këtyre trajnimeve teoriko-praktike ka për qëllim ngritjen profesionale dhe shkencore të nëpunësve pjesëmarrës./ata