8 biznese të vogla në Berat kanë përfituar falë programit “Rritu me Biznesin Tënd”, pjesë e Projektit të Rimëkëmbjes Ekonomike dhe Qëndrueshmërisë, me mbështetjen e bashkisë Berat.

Ky program transformues, me një kohëzgjatje prej 6 muajsh, mbështet bizneset e vogla për të përmirësuar aftësitë e tyre menaxhuese, duke forcuar njëkohësisht kapacitetet e tyre për të zgjeruar tregun dhe për t’u integruar më efektivisht në zinxhirët e vlerës lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Mbështetja jepet përmes konsulencës së personalizuar nga konsulentë biznesi të dedikuar, trajnimeve dhe granteve për të modernizuar pajisjet dhe imazhin tregtar të biznesit.

Në kuadër të programit, çdo biznes ka përfituar: 100 orë konsulence biznesi; 11 orë trajnime (menaxhimi financiar, marketing, menaxhimi i rrjeteve sociale, protokolli, Praktikat e Mira të Prodhimit etj.); grante për të rinovuar pajisjet ose infrastrukturën; grante për të përmirësuar imazhin tregtar.

Sukseset në sajë të programit për 8 bizneset përfshijnë: 14% rritje të volumit të shitjeve; 13% rritje të bazës së klientëve; 51% rritje në zbatimin e standardeve të protokollit të “Praktikave të Mira të Prodhimit” – tregues i një përmirësimi të konsiderueshëm në standardet e sigurisë ushqimore dhe kushtet e punës.

Gjithashtu ky program ka mbështetur krijimin e partneriteteve afatgjata të suksesshme, të cilat kanë mundësuar dhe facilituar eksportin në disa prej sipërmarrjeve të mbështetura./ata