Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu njoftoi se Këshilli i Ministrave miratoi sot edhe vendimin për institucionet e arsimit special, duke përmbushur angazhimin për një arsim gjithëpërfshirës.
“Vendimi tjetër që ne miratuam ka të bëjë më transformimin e shkollave speciale, shkolla të cilat arsimojnë fëmijë me aftësi speciale, me aftësi të kufizuar për t’i transformuar në qendra burimore. Qendrat burimore do të jenë struktura që do të ofrojnë jo vetëm shërbime të arsimit për fëmijët, por gjithashtu edhe shërbime rehabilituese, për t’i integruar këta fëmijë në arsimin e zakonshëm”, tha Manastirliu.
Sipas saj, qendrat burimore do të kenë mundësi që të ofrojnë trajnime dhe edukim në vazhdim për personelin arsimor, që personeli mësimore i cili sot ofron mësim në cilësinë e mësuesit ndihmës të ketë kurrikula të dedikuara, kurrikula të përshtatura, plane të personalizuara për fëmijët me aftësi ndryshe, sipas specifikave që ata kanë, në mënyrë që integrimi i tyre, por edhe marrja e një zanati, por edhe mbështetja e tyre në vazhdim të jetë pikërisht nga këto struktura që ne do t’i transformojmë në këto qendra burimore.
Nga vendimi për transformimin e shkollave të fëmijëve me aftësi të veçanta, në qendra burimore, përfitojnë 9 shkolla, të cilët në ofrojmë shërbime për rreth 520 nxënës më aftësi speciale, ku do të shtohet numri i mësuesve të dedikuar, mësuesve-ndihmës, por nga ana tjetër edhe figura të reja brenda këtyre shkollave, të cilët do të kenë mundësi të ofrojnë jo vetëm arsimim, por edhe mësim plotësues dhe shërbime të tjera mbështetëse për këta fëmijë por edhe për familjet e tyre./ata