Kujtohet sot në ditën e lindjes Vexhi Buharaja, atdhetar, dijetar, poet, përkthyes, shkrimtar, historian, studiues, hulumtues, njohës i dhjetë gjuhëve kryesore Lindore e Perëndimore.

Vexhi Buharaja lindi më 12 maj të viti 1920 në lagjen “Murat Çelepi” në Berat. Ai rridhte prej një familjeje intelektuale, me trashëgimi të pasur fetare, kulturore e atdhetare. Babai i tij, Ibrahim Efendi, ishte hoxhë, myderriz, atdhetar, si edhe gjyshi i tij, Ismail Efendi, që të dy, burra të përmendur për dituri, në Berat e nëpër Shqipëri. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në Berat. Pas kësaj vazhdoi studimet në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940 si një nga studentët më të dalluar. Menjëherë pas diplomimit, në moshën 20-vjeçare, u punësua në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, e përmuajshme fetare, diturore, artistike, letrare, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Tiranë.

Në fushën e përkthimit njihet ndër të tjera për shqipërimin nga gjuha perse të veprave të Naim Frashërit. Në shtypin shqiptar, emri i tij do të lakohej më së shumti me publikimet e tij në revistën “Kultura Islame”, kryesisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, Vexhi Buharaja ka kontribuar në përkthimin në shqip të dokumenteve nga gjuha osmane të Insitutit të Historisë dhe të Arkivit Qendror të Shtetit.

Vdiq më 5 korrik të vitit 1987./ata