Punimet në Komisionet Parlamentare i janë kthyer normalitetit dhe shumë shpejt pritet që pjesë e kalendarit të diskutimeve të jenë dhe nismat e deputetëve.

Pas 5 muajsh bllokim nga opozita dhe punimesh online, këtë të hënë Komisioni i Ligjeve ka nisur punën fizikisht, ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula është shprehur i pakënaqur me dakordësinë e arritur mes opozitës dhe mazhorancës për të çelur një dialog në komisionin e ligjeve për ato ligje që kërkojnë votim me 3/5-at.

“Të bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë gjatë këtyre 5-muajve dhe të vijmë këtu në komision dhe t’i fshimë këto 5-muaj, ku kanë ndodhur gjëra shumë të rënda në cenimin e demokracisë së vendit, është jo normale”, tha Sula.

“Kjo marrëveshje është “fake” i pastër. Pse? Ajo çka kërkoi opozita, ngritjen e komisioneve hetimore, e parashikon Kushtetuta. Çfarë bëri mazhoranca? Ndryshoi ligjin për komisionet hetimore, që me ligjin e ri s’ka më asnjë lloj vlere për t’u ngritur komisionet hetimore dhe na thoni hajde merrni komisionet. Ky është normalitet i rremë”, tha Sula.

“Ndryshuat rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë për deputetët, dhe është në fuqi rregullorja e re. Nëse nesër do ketë një protestë civile, ju i ndërprisni mandatin deputetit rreth 60-ditë.  E bëni ju me një akt normativ si byro e Kuvendit. Si mund të ndodhi që përgjatë 5-muajve keni kaluar ligje të rëndësie të jashtëzakonshme për pesë minuta, ju mund të thoni se ju bllokuat Kuvendin. Çdo fenomen ka një shkak dhe pasojë, shkaku i bllokimit të kuvendi ishit ju, që me forcën e kartonit i bllokuat të gjitha të drejtat opozitës. Unë si deputet s’do ia lejoja vetes. Do citoja të madhin Ndrek Luca, “kjo ishte loja”, marrëveshja në Tiranë, tymi në Sazan”, përfundoi Sula.

Dhurata Çupi, deputete e PD, e vlerësoi pozitivisht rinisjen e punës në komisionet kuvendore, teksa kërkoi praninë e ministrave për prezantimin e nismave ligjore.

“Opozita e përshëndet kthimin në normalitet puna në Kuvend. Nuk mund të jetë Kuvendi vendi ku miratohen ligje klienteliste, në errësirë të plotë dhe në interes edhe të interesave kriminale. Ne duhet të jemi bashkë për të mbrojtur interesat e qytetarëve. Mbrojtja e pr/ligjeve të bëhen nga ministrat, niveli më i lartë politikë, jo administratë që janë niveli i ulët politikë”, tha Çupi.

Klotilda Bushka Ferhati, deputete e Partisë Socialiste dhe kryetare e Komisionit të Ligjeve, tha se janë kërkuar gjithnjë prezencë ministrash dhe zv/ministrash në komisione. “Ne kemi kërkuar gjithnjë prezencë ministrash dhe zv/ministrash. Kur jemi komision përgjegjës kanë ardhur ministrat, kur kemi qenë komision për dhënie mendimi, kanë ardhur në komision zv/ministra”, tha Ferhati.

“Sa i takon kalendarit të punimeve, ka një shtesë. Do përpiqemi të vëmë sa më shpejtë data të sakta për nismat e deputetëve. Duhet të mbarojnë brenda një kalendari sa më të shkurtër. Deputetët nismëtarë do të thirren në komision për të prezantuar nismat e tyre. I kemi kërkuar dhe organeve shtetërore të kthejnë përgjigje mbi qëndrimet e tyre për këto nisma, sipas parashikimeve të Kushtetutës”, përfundoi Ferhati.