Buxheti i shtetit ka mbledhur 104 miliardë lekë në dy muajt e parë të vitit, me një rritje prej 7.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 6.85 miliardë lekë më shumë, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave.
Ndikimin kryesor në rritjen e të ardhurave e kanë dhënë si të ardhurat nga TVSH, duke reflektuar një gjallërim të konsumit, ashtu dhe të ardhurat që mblidhen kryesisht nga individët përmes sigurimeve shoqërore e shëndetësore e tatimit mbi të ardhurat personale.
Nga TVSH si në dogana e në tatime u mblodhën 4.9 miliardë lekë më shumë se janari 2023 (3.8 miliardë lekë nga tatimet dhe 1.1 miliardë lekë nga doganat). Tatimi mbi të ardhurat personale solli 1.4 miliardë lekë më shumë dhe të ardhurat nga kontributet +3.7 miliardë lekë. Nga tatimfitimi u mblodhën 1 miliard lekë më shumë.
Shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 2-mujore të vitit 2024, arritën në rreth 83.3 miliardë lekë me një realizim në masën 92.2 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ky zë ka rezultuar 14 për qind më i lartë, ose rreth 10.2 miliardë lekë më shumë.
Niveli i suficitit në periudhën 2-mujore të vitit 2024 rezultoi në rreth 20.7 miliardë lekë.