Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “shqiptarët janë pjesë e investimit në portin e Durrësit, përmes shtetit që është aksioner në atë zhvillim”.
Në një prononcim për mediet nga selia e PS-së, Rama iu përgjigj interesimit të gazetarëve mbi lehtësitë fiskale që parashikohen në rastin e investimit në Sazan, duke e krahasuar me procedurat e ndjekura me portin e Durrësit.
Rama u shpreh se “në portin e Durrësit nuk është bërë asnjë falje, sepse porti ka qenë, është dhe mbetet i Shqipërisë dhe shqiptarëve, por është përfshirë edhe interesi i shqiptarëve në atë projekt”.
“Për sa i përket zhvillimeve të sipërmarrjes të bazuar tek investimet e huaja, të gjitha vendet pa përjashtim në këtë planet kanë legjislacione favorizuese për të gjitha arsyet që dihen”, tha Rama.
Për sa i përket zhvillimeve në sektorin e turizmit, Kryeministri theksoi se “jo vetëm që ka legjislacione favorizuese, por është një garë e egër se kush i ka më favorizuese kushtet që të tërheqë investitorët seriozë të mëdhenj me garanci të plota për investimin e tyre”.
“Këtu nuk bëhet fjalë për të falur asgjë që është e shqiptarëve, përkundrazi. Edhe pse në parim unë nuk kam qenë kundra as asaj Shqipërisë 1 euro, që ishte faktikisht nxjerrja në rrugë e të gjitha pasurive të shqiptarëve për 1 euro, po ta marrim me këtë logjikë”, tha Rama./ata