Administrata tatimore i’u kërkon bizneseve deklarimin e pagave reale të punonjësve të tyre brenda datës 20 tetor. Përmes një mesazhi sensibilizues, në kuadër të nismës së qeverisë për hartimin e një Plani Kombëtar që garanton pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për pension të sigurtë në të ardhmen, subjektet janë njoftuar se tatimet do të vlerësojnë, analizojnë, evidentojë dhe trajtojnë të gjitha rastet e fenomeneve dhe tatimpaguesve me risk në këtë fushë.
“Administrata Tatimore, gjatë zbatimit të kësaj nisme, do të monitorojë të dhënat që ju vetë deklaroni, do të kryqëzojë informacionin nëpërmjet sistemeve informatike që disponon, si dhe me palë të treta për çdo informacion që lidhet me punonjësit tuaj. Sa më lart, kërkojmë vëmendjen tuaj për të deklaruar me saktësi dhe vërtetësi brenda datës 20 tetor 2024, të dhënat në lidhje me: Punonjësit që punojnë në ndërmarrjen tuaj, pagat reale të tyre, kohën e punës, profesionin e punonjësit dhe kategorinë e punësimit”, – thuhet ndër të tjera në mesazhin sensibilizues.
Po ashtu, në mesazh vihet në dukje se deklarimi i pavërtetë i këtyre të dhënave konsiderohet shmangie tatimore dhe si e tillë përbën kundërvajte, duke theksuar se ndaj subjekteve që kryejnë deklarime të pavërteta do të ketë 0 tolerancë./Scan