Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se falë investimit të qeverisë në portin e Porto Romanos, shqiptarët do të përfitojnë më shumë të ardhura sesa po të ndërtohej e menaxhohej nga privati.

Në një prononcim për medie nga selia e PS-së, Kryeministri Rama u ndal tek investimi në Porto Romano.

“Porti i ri do të jetë një aset i Shqipërisë dhe shqiptarëve, sepse do të investojmë ne. Do të thotë se kemi zgjedhur mes dy alternativave, asaj që është krejtësisht legjitime, që e ndjekin shumë vende të dhënies së ndërtimit një kompanie të huaj si investitore, dhe alternativës të hapjes së një tenderi ndërkombëtar, ku investitor është shteti”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, “do të thotë që pasi porti të ndërtohet, shqiptarët do të kishin shumë herë më tepër të ardhura nga ai port, se nëse ai do të ndërtohej dhe menaxhohej nga privati”./ata