Normat e interesit të depozitave shënuan rritje vitin e kaluar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për muajin dhjetor 2023, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në lekë ishte 1.64%, nga 1.43% që kishte qenë në fund të vitit 2022.
Frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë dhe rënia e yield-eve uli stimujt për rritjen e interesave të depozitave bankare për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, shpjegojnë ekspertët e BSH-së.
Ndërkohë normat e interesit të depozitave të reja shënuan një rritje veçanërisht pas muajit gusht dhe arritën nivelin më të lartë vjetor në muajin nëntor, në 1.78%.
Kjo mund të shpjegohet me stanjacionin e depozitave në monedhën vendase dhe me ngushtimin e tepricave të likuiditetit të sektorit bankar gjatë pjesës më të madhe të vitit 2023.
BSH-ja bën të ditur se, “një rol të rëndësishëm në këtë shtrëngim luajti sidomos politika fiskale shtrënguese e ndjekur nga qeveria shqiptare. Vetëm pas muajit nëntor, me rritjen e shpenzimeve publike, depozitat bankare iu rikthyen rritjes”.
Sipas Bankës Qendrore, depozitat bankare të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë (që përjashtojnë depozitat e qeverisë, institucioneve të tjera financiare, të jorezidentëve, etj.) në fund të muajit shtator 2023 kishin vlerën e 1.28 miliardë lekëve./ata