Lëvizja Huthi me mbështetje iraniane në Jemen njoftoi se ka shënjestruar anijen e SHBA-së në Detin e Kuq dhe qytetin Eilat në jug të Izraelit.

Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree në një deklaratë vuri në dukje se në Detin e Kuq kanë sulmuar me disa raketa anijen "Mado" të SHBA-së.

Ai tha se me raketa kanë shënjestruar edhe disa pika në qytetin Eilat të Izraelit dhe se objektivat janë goditur me sukses.

Zëdhënësi Saree bëri të ditur se do të vazhdojnë sulmet e tyre derisa Izraeli t'u japë fund sulmeve të tij në Gaza dhe deri në heqjen e bllokadës kundër rajonit.

- Situata në Detin e Kuq

Huthit me mbështetje iraniane në Jemen, në reagim ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza që nga 31 tetori 2023 e deri më tani konfiskojnë anijet tregtare dhe kryejnë sulme me mjete ajrore pa pilot dhe me raketa ndaj anijeve në brigjet e Jemenit për të cilat theksojnë se janë të lidhura me kompanitë izraelite.

Pas veprimeve nga Huthit, shumë kompani detare morën vendim të ndalojnë udhëtimet e tyre në Detin e Kuq.

Me arsyen se tregtia detare globale është vendosur në rrezik, më 18 dhjetor 2023 SHBA-ja njoftoi se një "mision shumëkombësh detar" i emërtuar "Operacioni Mbrojtësi i Prosperitetit" u formua kundër forcave Huthi me pjesëmarrjen e një grupi vendesh.

Forcat amerikane në këtë proces kanë njoftuar shumë herë se kanë rrëzuar raketat dhe dronët kamikazë të lëshuar nga Jemeni.

Përderisa Bashkimi Evropian (BE) më 19 shkurt filloi misionin "Aspides" për sigurinë e lundrimit në Detin e Kuq, Italia iu bashkua këtij misioni me vendim parlamentar më 5 mars dhe mori komandën taktike.

Rreth 12 për qind e tregtisë globale zhvillohet përmes Kanalit të Suezit, që ofron rrugën më të shkurtër mes Evropës dhe Azisë duke lidhur Mesdheun me Detin e Kuq./aa