Disa palestinezë u raportuan të vrarë kur një avion luftarak izraelit goditi një shtëpi në qytetin e Gazës të martën.
Shtëpia e shënjestruar ndodhej pranë spitalit Al-Shifa, i cili u bastis nga ushtria izraelite të hënën, thanë dëshmitarët okularë.
"Mjekët nuk janë në gjendje të arrijnë në skenën e sulmit pasi forcat izraelite hapin zjarr ndaj çdo gjëje që lëviz atje", tha njëri prej tyre për Anadolu.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës ende nuk i ka konfirmuar viktimat.
Ushtria izraelite sulmoi të hënën spitalin Al-Shifa, i cili strehon mijëra pacientë të sëmurë dhe të plagosur si dhe njerëz të zhvendosur.
Sipas transmetuesit publik izraelit KAN, rreth 80 palestinezë u arrestuan në objekt.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Gaza që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor 2023, ku janë vrarë rreth 1.200 njerëz. Që atëherë, në Gaza janë vrarë më shumë se 31.800 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa rreth 74 mijë të tjerë janë plagosur.
Sipas OKB-së, lufta izraelite ka zhvendosur 85 për qind të popullsisë së Gazës, mes një bllokade shkatërruese të produkteve ushqimore, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Aviv-in të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa