Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë shënoi rritje me 4.8 % në tremujorin e katërt të vitit që shkoi, krahasuar me tremujorin e katërt 2022.

INSTAT publikoi raportin mbi tregtinë me pakicë, sipas të cilit, ky tregues i përshtatur sezonalisht është rritur 1.1 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e katërt 2023 është rritur me 5.7 %, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2022.

Në grupin “ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 5.3 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022.

Volumi i shitjeve, për grupin “artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur 6.2 %, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.
Në grupin “tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve është rritur me 4 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022.

Në ndryshimin vjetor prej 4.8 %, në tremujorin e katërt 2023 ndaj tremujorit të katërt 2022, në tregtinë me pakicë, grupi “artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” kontribuoi me 2.3 pikë përqindje.

Grupi “ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” ka kontribuar me 1.4 pikë përqindje dhe grupi “tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” me 1.1 pikë përqindje.

Ndryshimi tremujor në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, i përshtatur sezonalisht është 2.4 %.