Ekspozimi i Shqipërisë si destinacion atraktiv turistik, por dhe politikat mbështetëse për fermerët, po japin efektet pozitive edhe në promovimin e vlerave dhe cilësisë së produkteve bujqësore “Made in Albania”.
Eksportet bujqësore vijuan rritjen edhe gjatë muajit shkurt.
Ministrja e bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se ato shënuan rritje me 19.5 % krahasuar me shkurtin e vitit 2023.
“Ecuria e qëndrueshme e sektorit na bën besimplotë për përmbushjen e objektivit të qeverisë shqiptare për 1 miliard dollarë eksporte të prodhimeve bujqësore Made in Albania” brenda vitit 2030”, u shpreh Denaj.
Klima e favorshme, afërsia me tregjet evropiane, mundësia për mbulimin e tregjeve rajonale me potenciale të pashfrytëzuara, si dhe fuqia punëtore me kosto të ulët, e bëjnë Shqipërinë një vend me potencial premtues në disa sektorë, por veçanërisht në bujqësi.
Produktet bujqësore janë të një cilësie të mirë, duke ofruar përparësi konkurruese për eksportet në Evropë dhe jashtë saj.
Produktet kryesore bujqësore që eksporton Shqipëria janë bimë mjekësore, perime të freskëta dhe të përpunuara, vaji i ullirit, vajrat esenciale, shalqinj, bagëti (të brendshme), peshk të konservuar dhe lëkurë të papërpunuar./ata