Normat mesatare të interesit të kredisë për shtëpi në lekë të sektorit bankar kanë shënuar rritje gjatë këtij viti.

 

Banka e Shqipërisë publikoi statistikat për normat mesatare të interesit të portofolit gjendje të sektorit bankar, që tregojnë se në muajin janar, norma mesatare e interesit për kreditë për blerje banese në lekë u rrit në 5.12%, nga 3.83% që kishte qenë në shkurt të vitit të kaluar, para se Banka e Shqipërisë të fillonte serinë e rritjes së normës bazë të interesit.

 

Sipas BSH-së rritja e normës së interesit të portofolit gjendje reflekton rritjen e normës së interesit të bonove 12-mujore të thesarit.

 

Yield-et e bonove vitin e kaluar u rritën me ritme të shpejta, sidomos në periudhën mes muajve gusht dhe nëntor. Yield-i bonove 12-mujore në nëntor arriti në 5.83%, niveli më i lartë prej vitit 2013. Pas muajit dhjetor, yield-et pësuan një korrigjim në rënie dhe tashmë për bonot 12-mujore yield-i mesatar i ponderuar ka zbritur poshtë nivelit të 4%.

 

Një tendencë të ngjashme në rritje po ndjek edhe portofoli i kredisë në euro, megjithëse në terma mesatarë kredia në monedhën europiane ngelet më e lirë. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit e kredive për blerje banese në euro arriti në 4.55%, nga 3.53% që kishte qenë në shkurt të vitit të kaluar./ATSH