Në Universitetin Bujqësor të Tiranës u promovua këto ditë libri “Të fshehtat e teknologut-sekretet e përpunimit të qumështit”.
Takimi me autorin, inxhinierin teknolog nga Durrësi, Nazif Tivari, u ndoq me shumë interes nga studentë e pedagogë, si dhe nga teknologë e përpunues që punojnë drejtpërdrejt në fabrika të përpunimit të qumështit etj.
Në fjalën e tij rektori i UBT, prof. dr. Fatbardh Sollaku, vlerësoi punën shkencore dhe kontributin e inxhinier Nazif Tivarit, “Mjeshtër i Madh”.
Mbi aktivitetin 50-vjeçar të inxhinier teknolog Nazif Tivari foli zv/dekania e Fakultetit të Bioteknologjisë, prof. ass. dr. Anila Kopali, e cila vuri në dukje kontributin drejtpërdrejtë në prodhim të inxhinier Tivarit.
Ajo nënvizoi edhe vlerat e vetë librit si një manual për teknologët e punonjësit, që merren me përpunimin e qumështit.
Inxhinier Tivari për disa vite theksoi ajo, ka qenë dhe lektor i jashtëm i Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke i përcjellë studentëve dijet teorike dhe përvojën praktike në përpunimin e qumështit e prodhimin e nënprodukteve të tij.
Mbi kontributin e inxhinier Nazif Tivari foli dhe prof. dr. Kapllan Sulaj, dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë, Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, etj.
Inxhinier Nazif Tivari foli mbi përmbajtjen e librit dhe vlerat e tij në përdorim për të gjithë punonjësit që operojnë në fushën e përpunimit të qumështit./ata