Prefekti i Korçës, Nertil Jole mori pjesë në  takimin e organizuar nga Ambasadorja e Republikës së Francës, Catherine Suard dhe stafi i saj gjatë vizitës në këtë qytet.

Jole informoi se në takim u përcaktuan hapat që do të ndiqen në procesin e rihapjes së Liceut francez në Korçë, një kërkesë e Kryeministrit Rama që u mirëprit nga Presidenti Macron, në vizitën e tij historike në vendin tonë.

“Për realizimin e detyrës së ngarkuar nga Kryeministri, institucioni i Prefektit do të mbështesë ekspertin francez në fushën e arsimit që do rekrutohet nga pala franceze dhe do asistojë nga afër procesin, si edhe do të sigurojë ndihmën dhe bashkëpunimin e institucioneve në nivel qendror dhe vendor”, u shpreh prefekti Jole në një postim në rrjetet sociale.

Qëllimi, sipas tij, është të realizohet në kohë ngritja e Liceut francez që pasuron cilësinë tradicionale të arsimit dhe edukimit në qytetin e Korçës, veçanërisht të kulturës franceze, sikurse zgjeron dhe ngre në një nivel të ri frankofoninë shqiptare.

Jole falënderoi ambasadoren Suard për angazhimin serioz dhe mbështetjen e gjithanshme për këtë projekt shumë domethënës për qytetin./ata