Të blesh online është sot zgjidhje dhe zgjedhje e shumë prej nesh. Por, sa të informuar jemi mbi risqet që kemi si konsumatorë?! Kjo pyetje dhe nevoja për ndërgjegjësim bëri bashkë institucione në nivel qendror dhe vendor, që fokusin e punës së tyre e kanë të orientuar tek mbrojtja e të drejtave të konsumatorit.

Në fakt, 15 Marsi njihet si Dita Botërore e Konsumatorëve, por nuk mjafton një ditë për të folur mbi këtë temë, e cila na prek të gjithëve. Jo më kot Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit si dhe Drejtoria e Integrimit Evropian dhe Projekteve të huaja, të dy institucione pjesë e Bashkisë Tiranë, organizuan tryezën e diskutimeve mbi sigurinë dhe transparencën e blerjeve ushqimore online, të quajtur simbolikisht “Piruni Digjital”.

“Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me një ditë, por takime si ky duhet të shërbejnë për krijimin e platformave të komunikimit mes institucioneve që fokusohen tek konsumatori si dhe biznesi” tha në fjalën e tij Andi Seferi, nënkryetar i Bashkisë Tiranë.

Ndërsa për Arli Naska, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, shkëmbimi i informacionit mes institucioneve sjell vetëm benefite për konsumatorin. “Mos harrojmë se të gjithë jemi konsumatorë që nga fëmija e deri tek qytetari më i vjetër, ndaj fushatat ndërgjegjësuese janë prioritet i yni”, u shpreh Naska në diskutimin e tij.

Vetë Bashkia Tiranë, është bërë pjesë e projektit “Food Trails”, i cili synon të hartojë politika ushqimore për qytetin e Tiranës. Adela Krajka, drejtor në Drejtorinë e Integrimit Evropian dhe Projekteve të huaja u shpreh se projekti do të bazohet në dy shtylla kryesore; në përmirësimin e ushqyerjes së shëndetshme për të gjithë shtresat e popullsisë dhe në reduktimin e mbeturinave ushqimore.

Pjesëmarrja e bizneseve në panel solli gjithashtu diskutim mes palëve, që nga respektimi i sigurisë ushqimore e deri tek informimi sa më thjeshtë i formave se ku dhe si mund të ankohet konsumatori kryeqytetas.

“Piruni Digjital” ka si qëllim të kthehet në një projekt të vazhdueshëm takimesh, ku vendosja e standardeve për mbrojtjen e konsumatorëve përfshin si rolin e agjencive qeveritare por edhe të organizatave që operojnë në këtë fushë./ata