Anijet e Rojës bregdetare kineze kanë shkelur ujërat territoriale kombëtare japoneze rreth arkipelagut të diskutueshëm Senkaku në Detin e Kinës Lindore, transmeton Anadolu.

Sipas deklaratës së Shtabit të Rojës Bregdetare të Rajonit të 11-të në rrethin Naha të provincës Okinawa, 4 anije të Rojës bregdetare të Kinës shkelën ujërat territoriale japoneze.

Anijet kineze iu afruan bregdetit juglindor të ishullit Kuba Jima dhe pasi qëndruan në zonë për dy orë u larguan nga zona pas paralajmërimeve të Rojës Bregdetare të Japonisë.

- Ishujt e diskutueshëm

Arkipelagu, i quajtur "Senkaku" nga Japonia dhe "Diaoyu" nga Kina, ndodhet në Detin e Kinës Lindore, në brigjet lindore të Kinës dhe bregun jugperëndimor të Japonisë.

Rajoni i pabanuar nga askush, i cili përbëhet nga 5 ishuj dhe 3 shkëmbinj që është në pronësi të Japonisë dhe pretendohet nga Kina, ka shkaktuar mosmarrëveshje për sovranitetin për një kohë të gjatë./ata