Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për mbulimin e shpenzimeve të trajtimit mjekësor të personave me status të invalidit të luftës në Kosovë.

Në një konferencë për media nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bashkë me zëvendësministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, u tha se mbulimi i shpenzimeve jashtë vendit do të jetë për shërbimet që nuk i ofrojnë institucionet shëndetësore publike të vendit.

Ministri Vitia tha se kjo do të bëhet me qëllim të ndërrimit, mirëmbajtjes apo vendosjes së protezave jashtë institucioneve shëndetësore publike.

Ai tha se Ministria e Shëndetësisë po punon që ndërkohë të krijohen kushtet e duhura që këto shërbime të kryhen në Kosovë dhe për këtë janë ndarë vitin e kaluar rreth 2 milionë euro për ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore dhe njerëzore.

“Puna për funksionalizimin e këtij shërbimi në institucione shëndetësore publike po vazhdon dhe do të vazhdojë deri në kompletimin e plotë të këtyre shërbimeve në mënyrë që kjo kategori, e cila ka dhënë jashtëzakonisht shumë për lirinë dhe për këtë vend, të ketë mundësi në mënyrë dinjitoze që në të ardhmen t’i marrë këto shërbime brenda institucioneve tona shëndetësore publike”, theksoi Vitia.

Ndërkaq, zëvendësministri Dobruna tha se ky vendim tregon dedikimin e Qeverisë së Kosovës për një nga kategoritë më të çmuara në vend.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë kërkuar vazhdimisht që qeveria t’i mbështet invalidët e luftës për pajisjen me proteza.

Invalidët të cilët humbën gjymtyrë në luftën e fundit në Kosovë, që nga paslufta e vitit 1999 janë përballur me vështirësi në ndërrimin dhe mirëmbajtjen e protezave të tyre si mungesë e fondeve dhe e financimit nga qeveria.

Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Shurdhaj, kishte thënë vazhdimisht se për një kohë të gjatë ka kërkesa nga invalidët për proteza, por nuk po mund t’u bëjnë zgjidhje atyre në Kosovë./aa