Mbi 60 mjekë janë larguar nga Kosova në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Ndërkaq, rrezikohet që institucionet shëndetësore sekondare dhe ato terciare, brenda pak viteve të mbesin pa profesionistë shëndetësorë. Faktorët që po kontribuojnë në këtë fenomen përfshijnë papunësinë, mungesën e investimeve në infrastrukturën ligjore, kushte të papërshtatshme pune dhe cilësinë e ulët të specializimeve.

Kështu thotë kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu në një intervistë për KosovaPress, teksa thekson edhe arsyet e largimit të mjekëve nga Kosova në vitin 2023 dhe këtë vit.

Sejdiu thekson se brenda dy apo tre viteve do të vërehet dukshëm mungesa e mjekëve në nivelin sekondar dhe atë terciar. Përveç trendit të braktisjes së vendit të punës, ai tregon se këtë vit do të dalin në pension rreth 100 mjekë.

Për KosovaPress, Sejdiu thekson se me këtë trend të mungesës së sigurisë profesionale do të ketë tendenca të lëvizjes së profesionistëve shëndetësorë nga sektori publik në atë privat.

Sejdiu thotë se mungesa e furnizimit me barna dhe materiale, salla operative si dhe mungesa totale e një sistemi shëndetësor, janë disa nga sfidat me të cilat përballen mjekët në Kosovë.

Gjatë vitit 2023 rreth 170 mjekë kanë lënë vendin e tyre të punës në Kosovë, për të dalë jashtë vendit.

/KosovaPress/