Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu deklaroi sot në Kuvend teksa po diskutohet marrëveshja “Për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, veterinerëve, farmacistëve dhe mamive, në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore” se kjo marrëveshje ka rëndësi të veçantë në fushën e fqinjësisë së mirë, diplomacisë dhe bashkëpunimit rajonal, ashtu sikundër lëvizjes së lirë të profesionistëve.

Sipas ministres, nëpërmjet ratifikimit të kësaj marrëveshjeje synohet që të bëhen pjesë e legjislacionit të Republikës së Shqipërisë rregullat për njohjen automatike të dëshmive të kualifikimeve formale, bazuar në kushtet minimale të trajnimit brenda palëve për akses dhe ushtrim të profesionit të rregulluar, si dhe kushtet minimale të harmonizuara të trajnimit në një ose më shumë palë të tjera dhe që lejojnë mbajtësit e kualifikimit në fjalë të ndjekin të njëjtin profesion në një pale të ndryshme nga pala ku ata kanë marrë kualifikimet e tyre profesionale.

“Kjo marrëveshje ka për qëllim në mënyrë direkte dhe indirekte rritjen e cilësisë së arsimit në vendet tona”, tha Manastirliu.

Ratifikimi i kësaj marrëveshje, theksoi Manastirliu, bëhet edhe në kuadër të proceseve integruese në BE të vendeve tona dhe vjen si nevojë e uljes së barrierave dhe burokracive me synim rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore.

Marrëveshja është nënshkruar në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, në tetor të 2023-shit, në Tiranë.

“Jemi duke punuar për përafrimin me parimet thelbësore që rregullojnë tregun e brendshëm dhe rritjen e mundësive të punësimit për shtetasit shqiptarë, pasi liberalizmi i tregtisë, flukseve të kapitalit dhe lëvizshmëria çojnë në zgjerimin e tregut dhe nxisin edhe më shumë investime midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Krijimi i mundësisë për lëvizje të lirë të profesionistëve dhe shërbimeve që ata ofrojnë krijojnë më shumë hapësira për zhvillim ekonomik në vend dhe rajon si një qëllim i përbashkët i vendeve tona. Kjo marrëveshje do të zbatohet për çdo individ profesionist që dëshiron të ndjekë një profesion të rregulluar në një nga vendet e përfshira në marrëveshje”, tha ajo./ata