Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj komentoi sot në rrjetet sociale atë që e quajti pazar të Rithemelimit me komisionet hetimore.

“Ngushtimi i objektit të hetimit të komisionit parlamentar të koncesioneve të shëndetësisë, nga 4 në 2  është pazari i radhës mes Foltores dhe Ramës”, shkroi Alibeaj.

Sipas tij, të katër koncesionet në shëndetësi, ai i dializës, check up-it, pajisjeve të laboratorëve dhe sterilizimit janë abuzive dhe dëmtojnë interesat e qytetarëve.

“Selektimi për hetim vetëm i sterilizimit dhe check-up-it (SPAK ndërkohë e mbaroi hetimin e tyre) dhe lënia jashtë hetimit i dializës dhe laboratorëve, është pazar dhe arsyet e vërteta i dinë ata që para 6 muajsh e nisën kërkesën për të hetuar 4 koncesione, e sot bëhen gati të votojnë vetëm për 2”, u shpreh Alibeaj.

“Bojkotuan muaj të tërë parlamentin, ndezën revolucionin me tymuese duke u shitur për interesat e oligarkut të radhës. E megjithatë të vërtetën nuk e fshehin dot sado të mundohen”, përfundoi Alibeaj./ata