Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli vizitoi sot pikën doganore të Rinasit, ku u takua me punonjës të Antikontrabandës.

Gazheli theksoi se modeli i punës dhe integritetit që përcjellin punonjësit e Antikontrabandës janë motivim për Administratën Doganore.

Administrata Doganore gjatë kësaj jave u ka bërë thirrje udhëtarëve për deklarimin e saktë të vlerave monetare në Pikat e Kalimit Kufitar.

Ligji parashikon që të gjithë personat të cilët hyjnë ose largohen nga territori i Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të deklarojnë shumat në të holla, çdo lloj instrumenti të negociueshëm të mbajtësit, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 10 000 euro, ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera, qëllimin e mbajtjes së tyre, si dhe të paraqesë dokumente justifikuese përkatëse.

Deklarimi kryhet pranë zyrave të Administratës Doganore, në Pikën e Kalimit Kufitar, hyrje apo dalje. Deklarimi kryhet nëpërmjet formularit për raportimin e transportit të vlerave në kufi (RTVK) i cili plotësohet online pranë zyrave doganore në Pikat e Kalimit Kufitar.

Deklarimi i rremë apo i pasaktë apo mosdeklarimi, bazuar në ligjin e mësipërm, neni 17/1, Administrata Doganore ka të drejtën e vendosjes së gjobës. Kur konstatohet mosdeklarimi ose deklarimi i rremë, paralelisht me vendosjen e gjobës nga Administrata Doganore, trajtimi i rastit bëhet sipas dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale./ata