Presidenti Bajram Begaj, përcolli sot një mesazh në 25-vjetorin e nisjes së operacionit të NATO-s për çlirimin e Kosovës nga gjenocidi serb.

Kreu i shtetit shprehu falënderime ndaj Aleancës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë akt historik për shqiptarët dhe rajonin e Ballkanit, ndërsa përkujtoi me nderim heronjtë e UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë.

Presidenti Begaj vlerësoi vendimmarrjen që i dha fund fushatës së spastrimit etnik dhe genocidit serb në Kosovë, kontributin e mëtejshëm nga KFOR, si edhe vizionin e Aleancës për siguri, paqe dhe stabilitet në Ballkan.

“Nuk duhet t’i ndalim përpjekjet tona për të krijuar një rajon që rrezaton harmoni, bashkëpunim dhe prosperitet”, bëri thirrje Presidenti Begaj.

“Ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, i dha të drejtë kauzës së lartë të popullit të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi. Urtësia politike, largpamësia strategjike dhe vendosmëria e Aleancës për të mos qëndruar indiferente ndaj spastrimit etnik dhe dhunës jo vetëm e shpëtuan Kosovën, por krijuan një kornizë të re të sigurisë për të gjithë rajonin. Në sajë të kësaj ndërhyrjeje, brenda pak kohe u mundësua pavarësimi dhe krijimi i Republikës së Kosovës, një histori suksesi e shtetndërtimit demokratik”, shkroi Begaj në rrjetet sociale.

“Prania e NATO-s në Kosovë nëpërmjet trupave të KFOR-it vijon të luajë edhe sot një rol të rëndësishëm në sigurinë e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë. Akti historik i NATO-s na kujton se nuk duhet t’i ndalim përpjekjet tona për të krijuar një rajon që rrezaton harmoni, bashkëpunim dhe prosperitet”, vijoi ai.

“Teksa falënderojmë ndihmën e paçmuar të Aleancës më të fuqishme të botës dhe të partnerit tonë strategjik, SHBA-së, sot përkujtojmë edhe sakrificat e kombit shqiptar, luftën heroike të UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë. Ata ndërtuan piedestalin ku u ngrit kauza e drejtë e ndërhyrjes në Kosovë. Nder përjetë heronjve të kombit!”, përfundoi mesazhin presidenti Begaj./ata