Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani përcolli sot mesazh me rastin e 25-vjetorit të ndërhyrjes së NATO në Kosovë.
“Njëzet e pesë vjet më parë, ndërhyrja e NATO-s ishte vendimtare në zhbërjen e ambicieve gjenocidale të Millosheviçit kundër popullsisë shqiptare në Kosovë”, shkroi Hasani në rrjetet sociale.
“Sot, Kosova e pavarur dhe sovrane, është dëshmi e rezistencës së popullit të saj dhe sakrificave të bëra nga luftëtarët e lirisë. Me vendosmëri, Kosova ka evoluar në një demokraci funksionale, që synon integrimin e plotë në familjen euroatlantike”, u shpreh Hasani.
Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja nisi sulmet në caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova./ata